Pas kualifikimit në finalen e kupës kundër Partizanit me anë të penalltive, Vllaznia nuk arriti të rikthehej tek fitorja në kampionat. Kuqeblutë u ndalën sërish në barazim, kësaj rradhe kundër Teutës në Durrës në shifrat 1-1. Kjo ishte edhe sfida e 6-të rradhazi në Superligë ku shkodranët nuk arrijnë 3 pikët.
Në këtë periudhë Vllaznia ka marrë vetëm 3 pikë nga 18 të mundshme. Ku numërohen 3 barazime dhe 3 humbje. Statistikat janë edhe më shqetësuese kur shikon se kuqeblutë kanë shënuar vetëm 3 herë në këtë periudhë. Në barazimin e djeshëm kundër Teutës, si edhe në humbjet kundër Kastriotit 1-2 dhe Tiranës po në shifrat 1-2.
Shifrat “horror” vijojnë edhe me golat e pësuar, ku në 6 takimet e fundit ka pësuar 8 gola. Ku rëndojnë sidomos në bilanc 3 golat e pësuar në humbjen 3-0 kundër Egnatias.
Fitorja e fundit në kampionat e Vllaznisë është në datën 03.03.2022, në javën e 23-të kundër Dinamos në shifrat 2-1, që shënon edhe 3 pikëshin e fundit.
Po të shtojmë këtu edhe dy barazimet në kupë kundër Partizanit, janë plot 8 ndeshje njëra pas tjetrës që Vllaznia nuk njeh fitore. Shifra të një ekipi që duket se lufton për mbijetesë, e jo për objektiva madhorë.
Tashmë mbetet që ekipi të gjejë reagimin e duhur në 7 javët e fundit të kampionat, ku në datën 31 maj do luajë edhe finalen e kupës kundër Laçit.
Endri ÇINARI