Trajneri i Laçit, Gentian Mezani, ka deklaruar pas sfidës së barazuar ndaj Erzenit se skuadra kishte treguar shpirt luftarak dhe vetëm fati i kishte mohuar fitoren në duelin e sotëm.
“Jam i kënaqur për atë që çunat dhanë në fushën e lojës, duhet t’i falënderoj se kanë bërë një lojë mjaft të mirë. Nga minuta e parë e deri në të fundit kanë luftuar, treguan dëshirë për të fituar ndeshjen.
Nuk është në stilin tim dhe nuk do to ndodhë ndonjëherë, por në javën e kaluar kam bërë gabim dhe kam dalë nga vetja duke folur publikisht për dy lojtarë. U kërkoj falje publikisht dhe ua kam thënë. Fajtori jam unë, ata treguan se kanë dëshirë e mundësi më shumë, me pak fat mund të kishim marrë ndonjë pikë më tepër.
Nuk na vunë në vështirësi se e kishim lojën në kontroll, ndoshta mund të shkonte drejt barazimit pa gola. Goli i pësuar na dha shtysë, por jo vetëm, sepse hodha një sulmues më shumë në fushë. Pra ishim jo vetëm nga goli, por edhe sulmuesi më tepër dhe me lojë më ofensive, me më shumë fat do të kishim marrë tre pikë sot.
Ndryshimi ka qenë nga ndeshjet e tjera, treguan më shumë dëshirë dhe patëm lojën në kontroll. Ndoshta nuk ishim shumë të qartë, se shkonim me pak forca se vinim nga dy humbje dhe skuadra kërkon të ketë situatën në kontroll. Kjo ka qenë një arsye që nuk ishim shumë agresivë dhe konkret. Duhej pësuar goli që skuadra të zgjohej përsëri dhe të jepte një impuls tjetër në fazën ofensive, atë të sulmit.
Guindo është lojtar që bëhet i rrezikshëm afër portës, në krah nuk është lojtar linjë dhe më duhej një lojtar që kroson mirë për Shkurtajn. Kjo është arsyeja pse preferova Dukën dhe jo Guindon. Në ndeshjet e kaluara kam parë Erzenin më agresiv në këtë krah dhe desha dyfishim që të mos i lejonim të na sulmonin në këtë krah.
Çfarë kishim përgatitur gjatë javës, u shfaqën mirë gjatë lojës. I falënderoj çunat, por nuk kemi bërë asgjë e nuk kemi marrë asgjë, kemi lënë shumë pikë, duhet që dëshira e motivimi të shprehen në çdo ndeshje e jo vetëm në një.
Mazrekaj? Sot i mungoi vetëm goli, do kisha dëshirë të shënonte dhe barazimi të vinte nga ai. Më vjen mirë për Ujkën, është një lojtar me perspektivë, por kisha dëshirë që Mazrekaj t’i kthehej golit se është i rëndësishëm për skuadrën. Fizikisht është mirë dhe psikologjikisht duhej të çlirohej, por shpresoj që të jetë në ndeshjet e ardhshme”, tha Mezani për ”Oversport” në fund të ndeshjes.