Vllaznia nesër do të luajë ndaj Kukësit në Shkodër por në fakt është një kundërshtar ndaj të cilit nuk i ka ecur shumë. Këtë e tregojnë më së miri statistikat e përballjeve në mes këtyre dy skuadrave.
Nga viti 2012 dhe deri më sot, ato janë përballur 22 herë me njëra- tjetrën dhe gjysma e këtyre ndeshjeve, pra 11 prej tyre, janë fituar nga kukësianët, të cilët jo vetëm kanë triumfuar në fushën e tyre, por shpeshherë edhe brenda në “Loro Boriçi”.
Sakaq, në 7 raste ekipet janë ndarë në barazim ndërkohë që Vllaznia ka fituar vetëm 4 herë. Të parën në sezonin 2012-13 me rezultatin 1-0 në Shkodër, të dytën një sezon më vonë në Kukës me shifrat 3-0 aforfe për shkak të incidenteve të krijuara nga tifozët vendas.
Fitorja e tretë për ekipin shkodran ka qenë para një viti e gjysëm në “Loro Boriçi” në shifrat 2-1 dhe i njëjti rezultat është fiksuar edhe në fazën e parë të këtij kampionati, në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”.Edhe golaverazhi flet për Kukësin që ka shënuar 27 gola përballë 19 golave të shënuar nga Vllaznia.
Golat e kukësianëvë në këto ballafaqime në këto ballafaqime janë shënuar nga: Pejiç (6), Guri (3), Shameti (2), Hysa (2), E.Hasani (2) si dhe Cikalleshi, Zeqiri, Lushtaku, Lima, Emini, Kale, Dzaria, Bakaj, Musolli, Balde, Shkurtaj dhe një autogol i Elvin Beqirit.
Ndërkohë golat e Vllaznisë në portën kukësiane kanë patur për autorë: A.Kalaj (3), A. Dibra (2), Atsina (2) dhe një nga gol A. Marku, Sefa, Vrapi, Shtubina, Çinari, Lika, Hygor si dhe tre gola nga ndeshja e fituar në tavolinë.
© vllaznia.al