Kampionati shqiptar i futbollit është në javët e fundit të aktivitetit. Tashmë kanë mbetur vetëm 3 javë deri në përfundimin e tij. Disa nga enigmat e sezonit janë zgjidhur tashmë ku Tirana është shpallur kampion e ndërsa Laçi ka siguruar matematikisht vendin e dytë. Po ashtu Dinamo dhe Skënderbeu kanë prerë biletën për në Kategorinë e Parë sezonin tjetër me Egnatian që luajë ndeshjen Play Off për qëndrimin në Superligë.

Megjithatë ende është e hapur gara për vendin e tretë në kampionat, që momentalisht mbahet nga Vllaznia. Statistikat e 33 javëve të kampionatit na japin një pasqyrim akoma edhe më të mirë të performancës së gjithë skuadrave. Kështu Tirana është skudra me më shumë fitore këtë edicion, plot 21 të tilla, pas tyre vjen Laçi me 17 fitore dhe në mënyrë surprizë pas kësaj dysheje vjen Kastrioti me 13 fitore.

Ndërkohë Dinamo me 5 fitore dhe Skënderbeu me 4 suksese janë dy ekipet më të dobëta përsa i përket kësaj statistike. Vllaznia është mbretëresha e barazimeve, kuqeblutë kanë parë shenjën “X” plot 16 herë këtë sezon, pas tyre vijnë Partizani dhe Skënderbeu me nga 13 barazime secila. Kastrioti mban rekordin si skuadra që ka barazuar më pak, me vetëm 4 barazime këtë sezon.

Por nëse Vllaznia është rekord për barazime, është ekipi i dytë që ka pësuar më pak humbje. Janë 6 ndeshjet e humbura nga shkodranët këtë edicion. Vetëm Tirana me 5 disfata është më mirë se kuqeblutë, Laçi gjithashtu ka pësuar 7 humbje këtë edicion.

Ekipet që kanë marrë më shumë humbje janë Dinamo me 18 të tilla dhe Skënderbeu me Kastriotin me nga 16 në llogarinë e tyre. Një paradoks ky për krutanët pasi pavarësisht kaq shumë humbjesh janë në kuotën e 43 pikëve në vendin e 6-të të renditjes dhe të siguruar për qëndrimin në Superligë.
Endri ÇINARI