Në Çezena dita-ditës po rritet një yll. Fjala është për sulmuesin pukjan Stiven Shpendi, i cili u grumbullua edhe nga Shpresa për miqësoren e fundit ndaj Bullgarisë.
Edhe në miqësoren e fundit me Kombëtaren U-21, Shpendi bëri mjaft mirë në majë të sulmit, ku edhe shënoi golin e parë të ndeshjes për kuqezinjtë. Në 33-ndeshje aktivizim në kampionatin që sapo lamë pas me Çezenën, numri i golave i shënuar nga ai ishte plot 12-të të tillë.
Vetëm një vit më parë, Stiven Shpendi dhe vëllai i tij binjak, Kristiani, udhëhiqnin me gola të rinjtë e Çezenës, ndërsa sot Stiven po tërheq zvarrë me gola dhe paraqitje skuadrën e parë të Çezenës.
Kristiani pësoi një dëmtim në nisje të sezonit dhe humbi disi ritmin, ndërsa Stiven nuk u ndal dhe përveçse fitoi hapësirë në formacionin e trajnerit Domenico Toscano, ka arritur që të shënojë edhe 12-herë dhe të assistojë tre herë të tjera.
Stiven, i cili ka nënshkruar një kontratë deri më 30-qershor 2026, ishte padyshim edhe futbollisti më i mirë i lindur në vitin 2003 në të gjithë Serinë C dhe në të gjithë Italinë për golat e shënuar. Në muajin maj, ai mbushi 20-vjeç dhe shifrat e tij janë të shkëlqyera.
Askush në moshën e tij nuk ka shënuar aq dhe ndjekësi më i afërt ishte sulmuesi i Atalantës në Serinë A, Rasmus Hojlund, me nëntë gola. Pas tij vjen mesfushori i Reggina në Serinë B, Giovanni Fabbiani, me tetë gola.
Ndërkohë nga ana tjetër, padyshim që paraqitjet e Stiven Shpendit nuk po kalojnë pa u vërejtur, aq sa për të tashmë ka interes nga disa klube kryesore të Serisë A, mbi të gjitha Juventusi, Milani dhe Napoli, të cilat po e ndjekin nga afër xhevahirin e Çezenës.
Kjo sepse Shpendi është i aftë të kombinojë konkretizimin në portë me shkathtësinë në qendër të sulmit. Me pak fjalë, sulmuesi pukjan Stiven Shpendi është me plot gojën një talent që është vlerësuar nga të gjithë trajnerët për karakterin dhe profesionalizmin e tij.
Maringlen ZHIVANI