Ashtu si shumëkush, ka dalë edhe vetë ai I zhgënjyer nga humbja e Vllaznisë në ndeshjen e parë të kampionatit, atë me Flamurtarin. Ramazan Rragami, një nga emrat e mëdhenj të historisë së këtij klubi, vazhdon ta ndjekë skuadrën kuqeblu në çdo ndeshje që ajo luan në “Loro Boriçi”. E ka bërë këtë gjë edhe në takimin me vlonjatët por në fund është larguar I mërzitur. “Sinqerisht që nuk e prisja një paraqitje të tillë të Vllaznisë. Nisesha nga fakti që në skuadër ishin dy lojtarë të huaj shumë të mirë si portieri Vujadinoviç e mbrojtësi Rajoviç, që kanë luajtur edhe më parë me këtë skuadër dhe janë pika të forta të saj. Nisesha nga fakti që pjesë e skuadrës ishin edhe Beqiri, Sykaj, Shtubina, Hajdari e ndonjë tjetër që kanë tashmë përvojën e duhur për kampionatin shqiptar, pa përmendur disa të rinj për të cilët duhet të jetë shpërthimi I tyre këtë sezon. Por në fakt, nuk pamë asgjë. Një Vllazni shumë e lodhur, a thua se ishte ndeshja e fundit e kampionatit dhe jo e para. Madje këtë konstatim kishte edhe stafi drejtues, në një kontakt të shkurtër që pata me të pas ndeshjes teksa theksuan se skuadra ishte e papërgatitur. Në kushte të tilla, pas një 90 minutëshi shumë të dobët sigurisht që u zhgënjeva nga humbja e Vllaznisë dhe për më tepër nga loja që ajo zhvilloi”- ka thënë mjeshtri I njohur. Rragami është një pjesë e ndritur e historisë së këtij klubi. Jo më kot, në hollin e dhomave të zhveshjes së stadiumit “Loro Boriçi”, në pragndeshjen me Flamurtarin është vënë një foto e madhe e tij bashkë me tre “kollosë” të tjerë të Vllaznisë në vite, Sabah Bizin, Medin Zhegën dhe Paulin Ndojën. Një ide kjo e drejtorit sportiv Armir Grima, për të lartësuar emrin e këtij klubi ashtu siç është vënë në krahun tjetër të hollit edhe një foto e madhe e Loro Boriçit. Kjo tregon se Vllaznia në vite ka nxjerrë figura të shquara që sot në fakt I mungojnë. Duke iu rikthyer ndeshjes së fundit me Flamurtarin, mjeshtri Rragami ndalet edhe tek gjesti shumë I gabuar I mbrojtësi Baci që e la skuadrën me 10 futbollistë në pjesën e dytë duke kryer një veprim aspak të denjë. “Ka qenë një moment plotësisht I evitueshëm. Nuk I falet një mbrojtësi të veprojë në atë mënyrë, afër vijës së mesit të fushë duke e lënë skuadrën me një futbollist më pak. Nuk I shkojnë Vllaznisë veprime të tilla sepse janë ndëshkime që mund të dënohen edhe me 8 apo 9 javë. Me një futbollist më pak dhe skuadra bëri presion për të barazuar. Llogarite pot ë kishte qenë edhe Baci në fushë prandaj e përsëris se ai I bëri një dëm të madh skuadrës në këtë ndeshje”- ka shtuar ai. Pavarësisht kritikave momentale, mjeshtri Rragami gjen vend edhe për optimizëm në fjalët e tij. Ai beson se paraqitja e bërë ndaj Flamurtarit nuk tregon formën e vërtetë të kuqebluve prandaj në fund do të deklaronte:  “Nuk mendoj kurrsesi se Vllaznia nuk di të luajë më mirë. Ajo ndeshje me Flamurtarin duhet harruar një herë e mirë dhe të mendohet për ndeshjet e ardhshme. Skuadra duhet të luajë e lirshme dhe mundësitë I ka. Në dispozicion ka edhe lojtarë që dinë të luajnë bukur dhe prandaj duhet të presim edhe pak kohë. Ndoshta nisja disi me vonesë e stërvitjes ka bërë që ekipi të mos jetë plotësisht I stabilizuar sin ë formacion , si në harmonizim por besoj se ky moment do kalojë dhe Vllaznia ka për t’u rikthyer ashtu si duhet”.
Gjergj KOLA