Një lajm aspak i mirë për boksin shkodran. Kur pritej që ekipi i të rriturve të Vllaznisë të bëhej gati për marrjen pjesë në kampionatin kombëtar që do të zhvillohet javën e ardhshme në Vlorë, nga zyrat e klubit ka dalë lajmi se për këtë ekip nuk ka asnjë fond që do të mundësonte shkuarjen dhe qëndrimin katërditor në qytetin e Vlorës. Kjo është bërë e ditur për gazeten nga trajneri i këtij ekipi Zef Gjoni. Sipas tij, ka qenë shefi i klubit shumëspotësh Vllaznia, Mark Kroqi ai që ia ka komunikuar një lajm të tillë. Arsyeja duket se ka të bëjë me bllokimin e fondeve të klubit në Degën e Thesarit. Në kushte të tilla, kryetrajneri Gjoni ka bërë të ditur se ekipi i Vllaznisë nuk do të marrë pjesë në kampionatin që do të zhvillohet javën e ardhshme në qytetin e Vlorës. Një lajm disi i çuditshëm megjithatë ky është realiteti. Sportistët dhe trajnerët e tyre duken të irrituar me këtë gjë sepse ata kanë kohë që përgatiten për këtë kampionat, me objektivin për të sjellë në Shkodër titullin e 19-të kampion. Ekipi më i suksesshëm i klubit Vllaznia kësisoj gjendet para një problemi të tillë dhe me shumë të ngjarë, as deri javën e ardhshme ai nuk do të zgjidhet. Tashmë mbetet për t’u parë nëse vërtetë boksierët e Vllaznisë nuk do të marrin pjesë në kampionat apo do gjendet një zgjidhje tjetër sepse nëse do ndodhte ashtu, do ishte një mëkat shumë i madh për të gjithë ata që kanë diçka në dorë.
www.shkodrasport.com