Ai është një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar dhe këtë sezon po zhvillon një supersezon me Kukësin, ku është pikë referimi.

Sindrit Guri, deri në këtë fazë të kampionatit, ka shënuar 11 gola, duke e ndihmuar skuadrën verilindore të marrë pikë të vlefshme dhe të renditet e dyta në Superiore.

Në një intervistë për “Telesport”, Guri ka folur për disa nga temat më të rëndësishme, që lidhen me karrierën e tij.

Sulmuesi shkodran flet edhe për garën e “Këpucës së Artë” të Superiores, duke thënë se me largimin e Bakajt, ai kërkon që ta fitojë këtë trofe individual.

Shtatlarti i skuadrës verilindore flet edhe për objektivat me Kukësin këtë sezon, por edhe për rivalët më të fortë të kampionëve të vendit në fuqi.

Po ashtu, Guri ka dhënë mendimin e tij edhe për ftesën e munguar nga Christian Panucci në kombëtare.

Ai shprehet se e kishte pritur një thirrje nga kombëtarja, por nuk është i zhgënjyer dhe do të vijojë të punojë, që një ditë të jetë pjesë e fanellës kuqezi.

Ndër të tjera, në këtë intervistë, Sindrit Guri ka treguar edhe dëshirën e tij për të luajtur në një nga kampionatet më të forta në Europë.

Sulmuesi shkodran veçoi kampionatin gjerman, si të preferuarin e tij, por, sigurisht, duke mos lënë pas as kampionatin holandez dhe belg.

Ndiqni intervistën e plotë të Gurit në videon e mëposhtme