Agim Canaj ndoshta ka shpresuar deri në fund për të vazhduar punën tek Vllaznia edhe në sezonin e ri ndonëse kontrata i ka përfunduar në maj.

Po ashtu edhe trajnerë të tjerë kanë shpresuar dhe ndoshta edhe janë kontaktuar nga drejtuesit e klubit për të marrë këtë post, por në fund zgjedhja ka qenë një tjetër.

Pankina kuqeblu i është besuar ish- trajnerit të kombëatres maqedonase Mirsad Jonuz. I shoqëruar nga menaxheri i tij, 57 vjeçari ka mbërritur sot në Shkodër duke hedhur edhe firmë në kontratë me Vllazninë dhe tashmë edhe zyrtarisht është trajneri i saj.

Ka qenë administratori i klubit Suad Lici ai që në një prononcim të tij ka shpjeguar edhe arsye pse u zgjodh ky trajner për të drejtuar kuqeblutë duke thënë:

“Së pari dua të falenderoj të gjithë ata që ishin kandidatë për pankinën e Vllaznisë dhe që u shprehën të gatshëm ta drejtojnë atë, por në fund strukturat e klubit vendosën për z. Mirsad Jonuz sepse shohin tek ai cilësitë dhe eksperiencën e duhur për të arritur ato objektiva që ka klubi Vllaznia për të kaput Kupat e Europës”.
© shkodrasport.com