Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj nuk ka të ndalur në shënimin e golave në Iran. Pas dy golave të shënuar pak ditë më parë në ndeshjen që Sepahan luajti në Ligën e Kampioneve të Azisë, ai ka shënuar edhe sot në ndeshjen e vlefshme për kampionatin iranian të futbollit. Sepahani luante në transfertë me ekipin Gohar Zakros dhe ka fituar me rezultatin 4-1. Golin e parë për të e ka shënuar pikërisht Sukaj që në minutën e 9-të të ndeshjes duke i hapur rrugë kështu fitores së skuadrës së tij.
Ky është goli i 10-të në kampionat për 25 vjeçarin shkodran që vazhdon të jetë protagonist çdo ditë e më tepër në Iran pavarësisht se trajneri i kombëtares Xhani De Biazi ende nuk ka shprehur besimin e tij për thirrjen e këtij lojtari në këtë ekip. Goli i sotëm është një tjetër sinjal ndaj tij. Të shënosh 10 gola në kampionatin e Iranit, të shënosh edhe në Ligën e Kampioneve të Azisë nuk është aspak e lehtë. Me fitoren e sotme, Sepahani është ngjitur në kuotën e 53 pikëve duke qenë në vend të tretë, vetëm dy pikë larg vendit të parë dhe për rrjedhojë do të luftojë fort deri në fund për t’u shpallur edhe këtë sezon kampion i këtij vendi.
www.shkodrasport.com