Ndonëse duhet edhe një muaj për nisjen e Memorialit të 10-të Ndërkombëtar të boksit që zhvillohet në Shkodër, ekipi kombëtar shqiptar ka kohë që ka nisur përgatitjet për të. Megjithatë gradualisht ai po hyn në fazën më intensive të përgatitjeve. Për këtë arsye, duke filluar nga dita e sotme, kombëtarja shqiptare nën drejtimin e trajnerit Zef Gjoni ka nisur grumbullimin e parë. Ai do jetë njëjavor dhe po zhvillohet në Velipojë. Pjesë e ekipit për momentin janë boksierët Rexhildo Zeneli, Kristian Shytani, Xhulio Vrenozi, Bekim Vjerdha, Emanuel Kaçaj dhe Nelson Hysa. Kjo do jete faza më intensive e përgatitjeve për këtë Memorial megjithatë pas kthimit nga Velipoja, me shumë mundësi do të ketë një tjetër grumbullim për kombëtaren tonë në mënyrë që boksierët e saj të jenë në formën e duhur për këtë aktivitet. Fakti që marrin pjesë të paktën edhe 10 shtete të tjera, do të thotë se rivaliteti do të jetë shumë I fortë. Pa harruar faktin se do jenë shtete me boks të zhvilluar si Rusia, Italia, Bullgaria, Uzbekistani etj. Përgatitjet në Velipojë do t’i ndihmojnë këto boksierë të marrin formën e duhur fizike, për më tepër që në ndihmë të tyre këto ditë do të jetë edhe specialisti i atletikës Vildan Tufi. Drejtuesit e ekipit tonë kombëtar shpresojnë për ndonjë medalje në këtë aktivitet ndonëse koefiçenti i vështirësisë do jetë shumë i lartë.
Gjergj KOLA