Nga Endri ÇINARI
Fitorja 3-1 kundër Dinamos në javën e 16-të të Superiores ishte shumë e rëndësishme për Vllazninë. Një sukses që duhej në një periudhë ku ekipi po kalon luhatje të mëdha. Dhe patjetër pikët janë ato që “shërojnë” çdo gjë në këtë fund të pjesës së parë të sezonit.
Por përveç pikëve të plota që u morën ndaj dinamovitëve, kuqeblutë përmirësuan edhe statistikat e ekipit. Në një moment ku Vllaznia ishte ekipi i parafundit për golat e shënuar në kampionat, tashmë ky pozicion ka ndryshuar. Shkodranët pas 16 javëve, me 3 rrjetat ndaj Dinamos kanë shkuar në kuotën e 17 golave sezonalë deri më tani.
Më mirë kanë bërë Egnatia me 31 gola të shënuar, Partizani me 23 të tillë, Laçi me 20 rrjeta në favor dhe Tirana me 24 gola të shënuar, por bardheblutë kanë pësuar edhe 23 të tillë. Duke qenë kështu mbrojtja më e dobët e kampionatit. Po ashtu më pak se Vllaznia kanë pësuar 4 ekipe në Superiore.
Kuqeblutë kanë pësuar 19 gola deri më tani. Ku më pak ka pësuar Partizani me 13, që mban edhe mbrojtjen më të mirë në kampionat. Egnatia e ka nxjerrë topin 14 herë nga rrjeta këtë sezon. E ndërsa në kuotë të barabartë ndodhen Laçi dhe Skënderbeu me nga 18 gola të pësuar deri më tani.