Futbollistët e kanë pasion lojën me top, por më së shumti tashmë e kanë profesion dhe një mënyrë për të mbajtur familjen dhe për të siguruar të ardhura për të ardhmen, pasi karriera nuk zgjat shumë.

Në këto kushte, paratë janë motivim shumë i madh, përtej dashurisë për fanellën dhe dëshirës për të përparuar në karrierë. Presidenti Gazment Demi, një biznesmen me shumë eksperiencë në vendin tonë, padyshim që e di mirë këtë dhe “Panorama Sport” mëson se lojtarët dhe stafi i Partizanit kanë pasur një motiv më shumë për të mposhtur Tiranën.

Atyre u është premtuar nga një pagë plus nga presidenti, që pritet ta mbajë premtimin brenda kësaj jave. Të kuqtë rrallëherë kanë operuar me premio, por në këtë sezon, kur objektivat duken më pranë se kurrë dhe ka qenë një vit i lulëzuar financiarisht, është vendosur që të aplikohet edhe kjo mënyrë motivimi.

Gazeta mëson gjithashtu se në këtë sezon ky shpërblim shtesë është përsëritur edhe në sfida të tjera dhe një prej tyre ka qenë edhe fitorja heroike ndaj Erzenit me 10 lojtarë. Mënyra se si u fitua ajo ndeshje dhe grinta që lojtarët treguan, i ka bindur drejtuesit të shpërblejnë skuadrën me nga një pagë plus, çka është padyshim një shumë e konsiderueshme, pasi Partizani është një nga klubet me lojtarët më të paguar në Shqipëri.

Presidenti foli edhe pas derbit, ku u shpreh qartë se ka besim te trajneri Kolela dhe te skuadra se do t’u shkojnë deri në fund objektivave. “Janë edhe 12 javë, para 8 javësh më duket ishim 4 pikë para, dolëm 6 pikë mbrapa, tani jemi barazim. Po të mbyllet kampionati sot, po të ndodhë diçka si në Ukrainë, jemi kampionë. Kolela ka besimin tim, ka besimin e Olsi Ramës. Dhe kështu do të rregullohen këto gjëra”, u shpreh presidenti i “demave”.