Monday, July 27, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORESulmuesi afrikan, Vllaznia do marrë vendimin për pak kohë

Sulmuesi afrikan, Vllaznia do marrë vendimin për pak kohë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Elvis Zouhoule mbetet një nga futbollistët që po ndiqet me vëmendje nga stafi teknik i Vllaznisë gjatë kësaj faze përgatitore. Sulmuesi 19-vjeçar nga Bregu i Fildishtë është afruar në provë te kuqeblutë, me synimin për të bindur drejtuesit se meriton një vend në organikën e skuadrës për sezonin e ri.

Në miqësoren e së shtunës ndaj Otrantit, Zouhoule pati mundësinë të shfaqte cilësitë e tij, por paraqitja nuk ishte plotësisht bindëse. Afrikani pati disa lëvizje interesante në repartin ofensiv, por në tërësi nuk arriti të linte gjurmën që pritej. Pikërisht për këtë arsye, stafi teknik vazhdon ta mbajë nën vëzhgim, duke analizuar me kujdes çdo detaj të lojës së tij.

Megjithatë, aventura e tij te Vllaznia nuk përfundon me këtë ndeshje. Sulmuesi do të ketë edhe disa ditë në dispozicion për të treguar potencialin e tij dhe për të bindur trajnerin Edi Martini se mund të jetë një alternativë e vlefshme për repartin ofensiv. Në klub nuk nxitojnë të marrin një vendim, duke preferuar ta vlerësojnë lojtarin në më shumë se një test.

Në programin e kuqebluve është edhe një tjetër ndeshje miqësore, e cila pritet të ketë një peshë të veçantë për të ardhmen e Zouhoule. Pikërisht në atë takim, 19-vjeçari pritet të ketë një tjetër mundësi për të shfaqur aftësitë e tij dhe për të fituar besimin e stafit teknik.

Verdikti përfundimtar për sulmuesin nga Bregu i Fildishtë pritet të vijë pas kësaj periudhe testuese. Nëse arrin të bindë me paraqitjet e tij, Zouhoule mund të firmosë kontratën me Vllazninë. Në të kundërt, kuqeblutë do të vijojnë kërkimet në merkato për një tjetër profil që plotëson kërkesat e stafit teknik.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments