Kur zhvillon një sezon në kufijtë e të përsosurës, atëherë është më se normale që të trokasin në derë shumë klube.

Kjo ka ndodhur edhe me Sebino Plakun. Sulmuesi ishte njeriu-kopertinë i Kamzës duke qenë protagonist absolut tek skuadra nga periferia e Tiranës.

Disa klube kryesorë të Kategorisë Superiore kanë parashtruar ofertat e tyre në drejtim të 33-vjeçarit, megjithatë e ardhmja e Plakut është e ndarë mes 3 alternativash.

Për momentin tiranasi është në bisedime me drejtuesit e Kukësit, për të qenë pjesë e bluve vetëm në Europë, diçka që i lë ende të hapur pistën e Ham Kamit.

Javën e shkuar sulmuesi bisedoi me drejtuesit norvegjez, duke i bërë të ditur edhe kërkesën e tij financiare, Ham Kami ka marrë 5 javë kohë për të kthyer një përgjigje.

Alternativa e dytë është qëndrimi te Kukësi edhe pas aventurës europiane, ndërsa ekziston edhe hipoteza e 3-të.

Kamza e sheh si “hero” dhe nuk përjashtohet mundësia që, pasi të zbresë në fushë me Kukësin në Europa League, Plaku të vendosë të rimarrë shiritin tek ekipi që kontribuoi edicionin e shkuar.

Dëshira parësore e lojtarit është rikthimi në Norvegji, për të ndërtuar edhe një të ardhme, që shkon përtej futbollit.