Friday, January 9, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORESulmuesi shkodran Erald Maksuti firmos një kontratë të rëndësishme për të ardhmen...

Sulmuesi shkodran Erald Maksuti firmos një kontratë të rëndësishme për të ardhmen e tij

Nga Maringlen ZHIVANI

Sulmuesi shkodran Erald Maksuti po zhvillon një sezon mjaft premtues me ekipin e tij Flamurtarin në Kategorinë Superiore, ku ka arritur të shënojë pesë gola deri më tani dhe është një nga lojtarët më të dalluar të skuadrës. Maksuti, 21 vjeç, është kthyer në një nga elementët kyç të sulmit dhe ka kontribuar në mënyrë të dukshme për skuadrën që lufton për pikët e rëndësishme në kampionat.

Megjithatë, përtej paraqitjeve të mira në fushë, për Maksutin ka ardhur një mundësi tjetër që mund ta ndihmojë në avancimin e karrierës së tij. Ai ka lidhur bashkëpunim zyrtar me një agjenci menaxhimi, çka rrit gjasat që të jetë më pranë një transferimi të nivelit më të lartë gjatë merkatos së dimrit apo në verë. Ai është bërë zyrtarisht pjesë e agjensisë së menaxhimit “SSM” që drejtohet nga menaxheri i njohur Shkumbin Qormemeti.

Ky i fundit njihet edhe për lidhjet e tij me klube të njohura europiane sepse ka transferuar aty disa futbollistë shqiptarë. Deri tani, Maksuti në aktivizimet e tij me Flamurtarin, ka treguar potencial, duke spikatur me paraqitjet e tij, gjë që ka tërhequr vëmendjen e ekipeve të tjera në kampionatin shqiptar dhe jashtë tij.

Përpara kësaj periudhe, Maksuti ishte pjesë e skuadrës së Apolonisë së Fierit, nga ku u transferua te Flamurtari verën e kaluar, duke bërë një hap të dukshëm përpara në karrierën e tij futbollistike. Gjithashtu, Maksuti ka qenë pjesë e përfaqësueses U-21 të Shqipërisë, por kohët e fundit ka humbur disa grumbullime për shkak të një dëmtimi të pësuar në kampionat.

Në total, paraqitjet e tij këtë sezon dhe bashkëpunimi i ri me agjencinë e menaxhimit tregojnë se karriera e Erald Maksutit ndodhet në një moment të rëndësishëm, duke e vendosur atë në radarët e klubeve më të forta brenda dhe jashtë vendit.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments