Java e 25-të e Abissnet Superiore dhuroi emocione. Kukësi fitoi 0-2 ndaj Dinamos, Laçi barazoi pa gola me Skënderbeun, ndërsa Teuta u mund 0-1 nga Kastrioti. Partizani mori një pikë ndaj Egnatias në barazimin 2-2, ndërsa Vllaznia-Tirana përfundoi 1-2.

I ftuar në studion e Sport News në News 24 është i mirënjohuri Ardi Mema. Mema foli për Klasiken e Shqipërisë, ku tha se bardheblutë e Orges Shehit mbizotëruan pas minutës së 25-të. Sa i përket Vllaznisë, ai pa një ekip të dobët në fushë.

“Po të shikoje, pas minutës së 25-të, shikoje një Tiranë që ishte në zotërim të topit. Shikoje një Vllazni që mezi bënte dy pasime. Prisja një ndeshje të fortë. Duke kaluar minutat, Tirana ishte mbizotëruese kundër Vllaznia.

Dy gjëra janë. Ose Vllaznia nuk mundi të bënte asgjë, ose Tirana ishte shumë e fortë. Në futboll duhet të kesh durim. Tirana shkoi për të mos humbur. Bardheblutë janë agresiv në sulm, sidomos në momentin kur dëshiron të shënojë gol.

Totre është një pikë e fortë. Ngo nuk ka luajtur. Ka disa ndeshje që luan Xhixha me Seferin. Unë mendoj se ekipi fitues duhet të jetë prezent në fushë. Totre është lojtar që i bën shumë mirë Tiranës. Është një djal shumë i thjeshtë.

Vllaznia kishte mungesën e Gurishtës. Ka ndodhur shpeshherë në futboll, që një lojtar stoli, të dërgojë ekipin në sukses. Ka lojtarë që vijnë nga stoli dhe fitojnë vendin e titullarit.

Tirana ka bërë merkato të mirë. Ekipi i Shehit ka promovuar djemtë e rinj” – tha ai.