Shkruar nga Gjergj KOLA
Paraqitja shumë e mirë e bërë në ndeshjen e fundit ndaj Hellas Verona, ka bërë që sulmuesi shkodran Gabriel Kulla të zgjidhet sërish në formacionin më të mirë të javës në kampionatin U20 (Primavera) në Itali.
Në këtë takim ai shënoi 3 gola dhe dha 1 asist duke kontribuar në këtë mënyrë në fitoren e thellë 7-0 të Sassuolos dhe si rrjedhojë u vlerësua me notën e lartë 8.9.
Në formacionin më të mirë të javës së 30-të të kampionatit italian ka patur vend edhe për një tjetër shqiptar, pikërish sulmuesin e Cesena Frederik Tosku. Nuk ka ku shkon më bukur, dy shqiptarë në formacionin më të mirë të javës në kampionatin italian të të rinjve.
Por kuptohet që sytë dhe vëmendja e shumë specialistëve janë të përqendruar tek Gabriel Kulla. Ndonëse është 18 vjeç dhe luan për herë të parë në këtë kampionat, ai ka arritur deri tani të shënojë 13 gola dhe të japë 13 asiste, shifra këto që e bëjnë një ndër sulmuesit më të mirë të Italisë për këtë moshë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



