Shkruar nga Gjergj KOLA
Tjetër gol për sulmuesin shkodran të Sassuolos, Gabriel Kulla. Ai e ka dërguar topin në rrjetën e portës kundërshtare edhe në ndeshjen e sotme ndaj Cesena, megjithatë goli i tij nuk ka vlejtur shumë sepse Sassuolo U20 është mundur me rezultatin 2-4 nga ky kundërshtar.
Takimi ka nisur mirë për miqtë të cilët kaluan të parët në avantazh me anë të Bertit në minutën e 19-të, por më pas në skenë do të dilte Kulla. Ai fillimisht do të godiste shtyllën e majtë pingule të portës së Cesenës, ndërsa në minutën e 33-të me një gjuajtje të fortë në një pozicion disi të prirët, ka arritur të barazojë shifrat.
Por sulmuesi 17 vjeçar nuk është ndalur këtu sepse ka qenë një rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen kundërshtare. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Kulla ka gjuajtur në drejtim të portës dhe portieri e ka grushtuar me vështirësi topin por duke e lënë në zonë, aty ku është shtyrë për në rrjetë nga Chiricallo. Pjesa e parë është mbyllur kësisoj me rezultatin 2-1 për Sassuolo U20.
Në të dytën do të vinte përmbysja dhe Cesena tregoi se jo më kot kryeson renditjen e kampionatit “Primavera” në Itali. Ajo ka shënuar tre gola njëri pas tjetrit duke fituar 4-2. Për t’u përmendur është fakti se në portën e Sassuolos këtë herë pavarësisht paraqitjeve të mira në dy ndeshjet e kaluara, nuk ka qenë shkodrani tjetër Gabriel Guri, por Nyarko i cili pësoi 4 gola.
Ndërkohë për Kullën goli i sotëm ishte i gjashti për të në këtë kampionat, një shifër që me siguri do të rritet në javë sepse ai po kalon një formë shumë të mirë sportive, ndonëse po luan në një kampionat me kundërshtarë që janë një dhe dy vite më të mëdhenj në moshë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


