Prej disa kohësh emri i Brajan Grudes ka qarkulluar shumë në median sportive. Djaloshi me origjinë shkodrane, por i rritur në Gjermani shihet si një nga ata që mund të lërë shenjë në futboll në të ardhmen. Pasardhës i familjes së njohur të futbollit Shkodran, Gruda, Brajani duket se po i vijon hapat e babait dhe xhaxhallarëve të tij në këtë sport.
Ditën e djeshme ai u aktivizua sërish si titullar me ekipin kombëtar u-19 të Gjermanisë, ku ai tashmë është pjesë prej disa ndeshjesh. Gruda ishte i palëvizur në formacion përgjatë 90 minutave, në barazimin 2-2 që gjermanët arritën në miqësore me bashkëmoshatarët e Portugalisë.
Në një moment kur thuajse ishte ndërruar gjysma e ekipit, e po ashtu gjithë reparti i mesfushës dhe i sulmit u zëvendësuan, Gruda u preferua të ishte në fushë deri në fund. Kjo patjetër falë performancës së mirë që zhvilloi kundër Portugalisë, ku në rolin e sulmuesit të krahut të djathtë, ai ishte një rrezik konstant për kundërshtarët portugezë.
Pavarësisht se nuk shënoi vetë, Gruda dhuroi shumë pasime për gol për shokët e tij të skuadrës dhe kështu u vlerësua për nivelin që tregoi. Pak ditë më parë, ai firmosi edhe kontratën e tij të parë si profesionist me ekipin e Bundesliges, Mainz.
Gruda nuk është aktivizuar asnjëherë më grup moshat e kombëtares shqiptare, pavarësisht se interesi për të nuk ka munguar. Megjithatë duket se gjermanët nuk duan ta lëshojnë një lojtar të tillë, që shihet me shumë perspektivë për të ardhmen.
Endri ÇINARI