Suedia ka arritur të fitojë medaljen e bronztë në Botërorin e femrave, pasi ka mundur në finalen e vogël me rezultatin 1-2, skuadrën e Anglisë. Edhe njëherë tjetër, gjurmë në këtë takim ka lënë sulmuesja shqiptare që aktivizohet me Suedinë, Kosovare Asllani e cila ka shënuar edhe golin e avantazhit për skuadrën e saj.
Në minutën e 11, Asllani ka përfituar nga një moment pasigurie në zonën e Anglisë dhe ka gjetur golin me një gjuajtje mjaft të bukur. Sakaq, 10 muinuta më vonë ka qenë Jakobson ajo që ka shënuar edhe golin e dytë ndërkohë që për Anglinë ka ngushtuar diferencën Kirbi.
Në pushimin mes pjesëve, Asllani është zëvendësuar pasi vinte nga një dëmtim, megjithatë rezultati ka mbetur i pandryshuar. Sakaq, bie në sy fakti se Asllani ka shënuar por nuk ka festuar me shqiponjë siç ka bërë herë të tjera. Kujtojmë që pak kohë më parë, ajo u kritikua për festimin e saj, megjithatë u shpreh se nuk premtonte se do të ndryshonte festim.
Me golin e shënuar, Asllani arrin në kuotën e 3 golave në një Botëror të vetëm dhe askush te Suedia, nuk ka arritur të shënojë më shumë gola në një kompeticion të tillë. /VipSport/