Kategoria Superiore do të luajë ditën e sotme katër ndeshjet e mbetura të javës së 32, teksa bien në sy përballjet e ekipeve të kreut, me ato që kërkojnë mbijetesën në elitë. Kështu, Partizani i trajnerit Ilir Daja do të kërkojë të ruajë vendin e parë në Korçë, ndërsa luan me vendasit e Skënderbeut.
Juglindorët kanë pasur një formë të mirë dhe i kanë rritur shumë shpresat për të qëndruar në elitë, ndaj do të provojnë t’iu hapin telashe edhe të kuqve. Nga ana tjetër, Teuta e trajnerit Edi Martini pas barazimit me Vllazninë, në shtëpi do t’i duhet të bëjë detyrën dhe të marrë tre pikët përballë Bylisit.
Miqtë, aktualisht janë në zonën e Play-Out, ndërsa shpresojnë të parakalojnë në renditje Kastriotin, megjithatë duhet të kenë kujdes nga Skënderbeu.
Nga ana tjetër, Laçi udhëton në Fier për t’u ndeshur me Apoloninë. Në këtë sezon kurbinasit kanë lënë pikë të vlefshme ndaj fierakëve, ndërsa nëse kërkojnë të provojnë deri në fund për titullin, atëherë tre pikët janë një detyrim. Ndërkaq, në kryeqytet, Tirana pret Kastriotin.
Bardheblutë shpresojnë të fitojnë pikë ndaj ekipeve që kanë para vetes, ndërsa pas barazimit me Bylisin, të besuarit e trajnerit Orges Shehi mendojnë vetëm për fitoren, në mënyrë që të ruajnë shanset për të mbrojtur titullin, apo edhe për të qenë në garë plotësisht për një vend në Kupat e Europës. /VipSport/
Ndeshjet:
16:00 Tirana-Kastrioti
16:00 Apolonia-Laçi
19:00 Teuta-Bylis
19:00 Skënderbeu-Partizani