Kastrioti është “treni i fundit” i mbijetesës për Dinamon, që do të përballet me krutanët pasditen e sotme në “Elbasan Arena”, në një sfidë ku fitorja është shndërruar në detyrim për kryeqytetasit.
Ndonëse e nisën sezonin me pretendime të mëdha, blutë e kryeqytetit pozicionohen në vendin e parafundit dhe plot 8 pikë larg Kastriotit, ndaj çdo rezultat tjetër veç fitores, do t’ua minimizonte shpresat për mbijetesë.
Dinamovitët kanë shfaqur probleme të shumta, megjithatë trajneri Vanoli ka preferuar të luajë me sedrën e futbollistëve dhe pret një reagim burrëror ndaj krutanëve.
Nga ana tjetër, këta të fundit mbyllën në mënyrë perfekte fazën e tretë dhe do të provojnë të mos humbin në “Elbasan Arena”, në mënyrë që të ruajnë distancën nga Dinamo dhe të luajnë me Egnatian për zonën Play Out.
Dinamo-Kastrioti do të startojë në orën 14:45 në “Elbasan Arena” dhe do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e SuperSport.