Ekipi i Scutari U17 ka marrë sot një fitore me vlerë në javën e 19-të të kampionatit, teksa vijon të jetë në mes skuadrave pretendente.

Paraditën e sotme, djemtë e drejtuar nga trajneri Erjon Hasaj kanë luajtur në transfertë ndaj skuadrës së Kukësit dhe kanë fituar me rezultatin 1-2.

Goli i parë i ndeshjes do të vinte për shkodranët, teksa në minutën e 31-të, ka qenë Hagrepi që ka zhbllokuar rezultatin. Megjithatë, 11 minuta më vonë, në fundin e pjesës së parë, më konkretisht në të 42-tën, Sefolli do të shënonte golin e parë dhe të barazimit për Kukësi U17.

Kështu, kjo pjesë do të mbyllej në shifrat e barabarta 1-1. Në fillimin e së dytës, Scutari është më në kërkim të golit dhe ia arrin qëllimit.

Në minutën e 65-të, Hagrepi do të shënonte edhe golin e dytë për ekipin e tij dhe të dytin personal. Duhet thënë edhe se në vijim, më konkretisht në minutën e 80-të, Kukësi U17 mbeti me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq të Sefollit.

Kështu, me këtë rezultat do të mbyllej gjithçka. Scutari do të fitonte me shifrat 1-2 dhe me këtë fitore ai ngjitet në kuotën e 46 pikëve, duke qenë shumë pranë Basanias, që të dyja këto janë ekipet pretendente.
Maringlen ZHIVANI