Sot luhen katër ndeshjet e mbetura të Kategorisë Superiore, teksa Kukësi tashmë pas dy fitoreve radhazi, do të kërkojë të triumfojë sërish në sfidën ndaj Apolonisë. Verilindorët gjejnë përballë një kundërshtar që në këtë sezon ende nuk ka marrë tre pikët e para, ndërsa trajneri Xhovani Kolela ka dhënë dorëheqjen.

Në këtë sfidë, fierakët do të jenë nën urdhrat e Nikolin Ccoçllit. Ndaj, nga situatat e ndryshme në të dyja kampet, nënkampionët e Shqipërisë nisen favoritë.

Ndërkaq, një ndeshje shtëpiake ka edhe Vllaznia, e cila pret në Loro Boriçi, Bylisin. Këta të fundit, do të kërkojnë sërish fitoren e parë të kampionatit, edhe pse përballë shkodranëve nuk mund të jetë e thjeshtë, teksa kuqeblutë pretendojnë shumë nga ky sezon.

Sakaq, edhe Teuta luan në shtëpi, një sfidë e cila mund të konsiderohet delikate. Kastrioti, do jetë kundërshtari i durrsakëve. Krutanët, janë surpriza e kampionatit deri tani, duke mos pësuar humbje në pesë javë, ndërsa kanë treguar veten edhe ndaj kundërshtarëve si Partizani, Laçi e Tirana.

Ndërkohë, në Korçë, Skënderbeu vendas pret Laçin. Këta të fundit kërkojnë vazhdimësinë pas fitores tenistike ndaj Apolonisë 6-1, teksa synojnë të ngjiten sa më shpejt në klasifikim, ndërsa tashmë drejtohen nga Stavri Nica.

Nga ana tjetër, Skënderbeu i Julian Ahmataj nuk është në momentin më të mirë, ndërsa deri tani ka stonuar në ndeshjet e luajtura në shtëpi. /VipSport/

Ndeshjet:

13:45 Vllaznia-Bylis

13:45 Skënderbeu-Laçi

16:45 Teuta-Kastrioti

13:45 Kukësi-Apolonia