Transferimi nga Menemenspor te Boluspor në janar në kategorinë e dytë turke u duk si një vendim i çuditshëm i Gentian Selmanit. Përtej një oferte më të kënaqshme financiare, për lojtarin kishte oferta të rëndësishme edhe nga klube të Superligës turke dhe ky vendim për të vazhduar në kategorinë e dytë, për më tepër me një skuadër që luftonte për mbijetesën, u duk fillimisht një zgjedhje e çuditshme.

Megjithatë, kjo zgjedhje po rezulton gjithnjë e më shumë ajo e duhura për Selmanin. Ai po luan me Boluspor dhe po tregon të gjithë vlerat e tij duke ndihmuar skuadrën që shumë shpejt të largohet nga zona e ftohë e të kalojë e qetë mbylljen e këtij edicioni.

Vlerat e Selmanit ranë në sy edhe në ndeshjen e kësaj jave ndaj Altaj, skuadër që pretendon ngjitjen në elitë dhe ka sulmin më të mirë në kampionat. Boluspor fitoi 1-0 me një penallti në pjesën e parë ndërsa më pas ishte Selmani i cili ruajti këtë rezultat me pritjet e tij të njëpasnjëshme, duke u zgjedhur në fund edhe lojtari i ndeshjes.

Paraqitje që më siguri do të kthejnë në verë zërat për një transferim në klubet e elitës për portierin shqiptar, edhe pse ka pak muaj te Boluspor, pasi është e qartë se ai e meriton një shans në Superligën turke. /vipsport/