Rinis Kategoria Superiore. Pikërisht menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të kombëtares për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, kuqezinjtë të mërkurën do të presin San Marinon në “Elbasan Arena”, futbolli i luajtur do të vazhdojë me aktivitetet kombëtare. Të premten nis zyrtarisht Kampionati i 83-të Kombëtar i Kategorisë Superiore, ndërsa do t’i takojë Teutës kampione që të ngrejë siparin e elitës së futbollit shqiptar.

Në ora 19:45 durrsakët do të presin në “Niko Dovana” Partizanin, ndërsa është zgjedhur kjo ndeshje për të zhvilluar dhe ceremoninë zyrtare të hapjes së aktivitetit kombëtar për sezonin 2021-2022. E shtuna do të sjellë dy ndeshje të tjera.

Në ora 13:45, Laçi do të presë Vllazninë në një përplasje pankinash të huaja. Në një krah tek kurbinasit malazezi Dejan Vukiçeviç dhe në krahun tjetër gjermani Tomas Bërdariç, i cili është në sezonin e tij të dytë në futbollin shqiptar.

E më pas në ora 16:45, Tirana në “Selman Stërmasi” do të presë Skënderbeun, dy skuadra që janë përforcuar në merkaton verore. E diela i takon skuadrave debutuese në këtë kategori superiore, apo e thënë ndryshe të ardhura nga Kategoria e Parë.

Në të njëjtën orë 13:45, Egnatia do të presë në Rrogozhinë, Kukësin, kurse Kastrioti, tashmë i familjarizuar me stadiumin e Kamzës, atje ku dhe shpëtoi sezonin e kaluar nga rënia në Kategorinë e Parë pas fitores me Tomorin, do të presë Dinamon.

Blutë tashmë me shumë ndryshime, kjo që nga trajneri, por dhe me shumë futbollistë merkato synojnë ta nisin Superioren me hapin e duhur për të qenë në vendet e para të këtij sezoni. Më poshtë po ndiqni dhe grafikisht javën e parë të Kategorisë Superiore për sezonin 2021-2022, ndërsa që nga kjo fundjavë nisin dhe kategoritë e tjera të futbollit shqiptar.