Anglia do të kërkojë triumfin e parë në Kampionatin Europian këtë verë, por llogaritë matematikore parashikojnë një tjetër turne që do të përfundojë në agoni për “Tre Luanët”.

Sipas një simulimi të superkompjuterit të ndërtuar nga ekspertët e futbollit të “Sportradar”, parashikohet që në “Euro 2020” të triumfojë një skuadër surprizë, pikërisht kundërshtari i Shqipërisë në miqësoren e djeshme, Republika Çeke.

Sipas simulimit, ata do të përballen me Danimarkën në finale dhe parashikohet që të fitojnë 3-2, duke triumfuar për herë të parë në turneun kontinental. Dhe Europiani nuk është një kompeticion që ofron rrallë surpriza.

E fundit ishte triumfi i Greqisë në Portugali 2004, por i paharrueshëm ka qenë edhe suk- sesi i Danimarkës në 1992, me nordikët që u thërritën nga plazhi pas skualifikimit të Jugosllavisë. Megjithatë, Republika Çeke e ka ndier një herë shijen e finales në Angli 1996, ku u mund nga Gjermania.

Superkompjuteri parashikon fitoren e të tria ndeshjeve të Anglisë në grup, 5-2 kundër Kroacisë në ndeshjen e parë, 1-0 kundër Skocisë dhe 2-1 kundër Republikës Çeke në duelin e fundit. Pastaj ishullorët eliminojnë Francën në 1/8-at (3- 1), përpara se të nxjerrin nga turneu edhe Poloninë e
Robert Levandovskit (3-2) në çerekfinale. Por, ata do të eliminohen nga Danimarka.

Ndërsa Republika Çeke, për të shkuar deri në “Wembley” më 11 korrik, do të surprizojë gjigantë si Spanja, Gjermania dhe kampionët në fuqi të Portugalisë. Verner Beqer, presidenti i “Sportradar” për Europën, tha se kompjuteri llogarit cilësitë teknike të skuadrave, duke përpunuar miliona statistika që i ka grumbulluar në 20 vitet e fundit: “Futbolli është i paparashikueshëm dhe kjo është një nga gjërat që na pëlqen më shumë në këtë sport. Pak tifozë do të parashikonin Çekinë dhe Danimarkën në finale”.