Alban Xhaferi u ka bërë thirrje tifozëve shkodranë që të mbushin stadiumin “Air Albania” të mërkurën, pasi sipas tij Vllaznia me mbështetjen e tyre do të sjellë trofeun e Superkupës në finalen që do të luajë kundër Tiranës.

Në një postim në rrjetet sociale, presidenti i Vllaznisë theksoi se skuadra do të bëjë gjithçka që të marrë trofeun e dytë brenda një viti, duke iu referuar kështu Kupës së fituar në muajin maj.

“Të mërkurën më 7 dhjetor në orën 19:00 luhet klasikja për Superkupën. Le ta mbështesim si asnjëherë tjetër më përpara në ‘Air Albania’ dashninë tonë të përbashkët, Vllazninë.

Të gjithë bashkë, për një qëllim, për të plotësuar ëndrrën tonë, që të sjellim trofeun e dytë brenda 2022-shit në Shkodrën tonë 2400 vjeçare, në kryeqendrën historike ballkanike”, shkruante dje në “Facebook” kreu i klubit shkodran.