Kategoria Superiore është futur në një valle të nxehtë, ku kur kanë mbetur edhe 2 javë nga fundi i saj shumë skuadra nuk e dijnë të ardhmen e tyre.
Bëhet fjalë për kualifikimin apo jo në Kupat Europiane, me 7 skuadra që janë në garë për 2 bileta. Kukësi, Teuta, Flamurtari, Skënderbeu dhe Laçi janë në valle për të siguruar Europën nga kampionati, ndërkohë që Lufëtari shpreson që të ngjitet në vendin e katërt dhe të shpresojë që Kupa të shkojë në duart e Kukësit. Por nëse, verilindorët mposhtën nga Tirana, janë kryeqytetasit ata që kualifikohen në fazat kualifikuese të Europa League.
Kukësi është më e avantazhuar, teksa i duhen 2 pikë për të siguruar matematikisht kualifikimin. Bileta e tyre varet nga dy takimet, ndaj Partizanit dhe Kastriotit, por edhe nga hapat e Flamurtarit. Vlonjatët koleksionojnë 3 pikët këtë fundjavë, pasi duhej të prisnin Kamzën tashmë të përjashtuar nga kategoria.
Ndërkohë, në javën e fundit, të besuarit e Dajës masin forcat me Tiranën dhe në rast të një fitoreje do të shkonin në kuotën e 55 pikëve, aq sa numëron Kukësi aktualisht.
Sa i përket Teutës, skuadra e Bledi Shkëmbit ka aktualisht 54 pikë në vendin e 3-të. Distanca me Flamurtarin është 3 pikë, por me kuqezinjtë që e kanë siguruar fitoren në javën e ardhshme, dy skuadrat bregdetare barazohen me pikë.
Dhe për këtë fakt, Teutës i duhet që të dal me pikë nga duelet me Kastriotin dhe Laçin. Përpos Kamzës, Flamurtari do të mas forcat edhe me Tiranën. Dalja me pikë të plota nga dueli i kryeqytetit do kualifikonte Flamurtarin, nëse Teuta grumbullon më pak se 3 pikë nga gjashtë të mundshme.
Shpresa për të kapur Europën është edhe te Skënderbeu. Korçarët shpresojnë te hapat fals të Teutës dhe Flamurtarit dhe të marrë pikë të plota ndaj Luftëtarit, pasi javën e fundit merr pikë të plota ndaj Kamzës. Por në garë për Europës është edhe Laçi.
Kurbinasit gjenden në pikë të njëjta me Skënderbeun dhe hapat fals të Teutës, Flamurtarit dhe korçarëve do i ngjiste bardhezinjtë në vendin e 3-të me 55 pikë.
Por, në valle mund të futet edhe Luftëtari. Pikët e plota ndaj Skënderbeut dhe Partizanit do i ngjiste në kuotën e 52 pikëve në vend të katërt, pozicion që të dërgon në Europë nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë kundër Tiranës.
Në rast se trofeu shkon në duart e bardhebluve, janë kryeqytetasit ata që sigurojnë mundësinë për tu promovuar në Kupat e Europës. Si për ironi, Tirana mund të jetë pjesë e Europës edhe një Kategori më poshtë. Distanca prej 2 pikësh me Kastriotin “dridh” kryeqytetasit, që janë në buzë të greminës sërish.
Pra plot 6 skuadra që luftojnë për 2 bileta Europiane, duke e kthyer Superligën në një ekuacion të vërtetë. / Newsport.al