Tashmë kampionati shqiptar do jetë pushim deri në gjysmën e muajit dhjetor. Kjo për shkak të zhvillimit të Botërorit, që për herë të parë do mbahet në Katar dhe në muajt e dimrit. Fakt që ka bërë që i gjithë futbolli në mbarë Europën dhe Botën të “fiket” dhe vëmendja të përqendrohet tek eventi më i madh futbollistik.
Vllaznia po ashtu do jetë pushim, por për shkodranët rikthimi në fushë për një ndeshje zyrtare do jetë më i shpejtë. Kuqeblutë do përballen me Tiranën në datën 7 dhjetor. Duel që do vendosë fituesin e Superkupës dhe që rikthen edhe njëherë në fushë derbin e Shqipërisë. E po ashtu një trofe për tu fituar në datën 7 dhjetor.
Pavarësisht se Superkupa ndoshta nuk ka edhe një vlerë aq të madhe, fokusi i shkodranëve është totalisht tek ky trofe. Kjo edhe për moral dhe për të treguar vlerat e ekipit përballë rivalit të përjetshëm dhe që edhe këtë sezon pretendon titullin kampion.
Por vëmendja e kuqebluve nuk është vetëm tek Superkupa në këtë periudhë. Pavarësisht se janari është ende disi larg, fokusi i drejtuesve do jetë edhe në merkato.
Kjo për të përforcuar ekipin me elementë që mund të bëjnë diferencën, në ato reparte ku skuadra ka vuajtur deri më tani. Ende nuk ka ndonjë emër konkret se kush mund të afrohet tek Vllaznia, por me siguri objektivat e janarit janë përcaktuar nga stafi teknik dhe drejtues.
Endri ÇINARI