✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA

Dy boksierë të Vllaznisë, pjesë e kombëtares shqiptare kanë udhëtuar ditën e djeshme drejt Prishtinës për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Adem Jashari” që zhvillohet çdo vit në Kosovë. Një aktivitet ky që është i përfshirë në kalendarin e Federatës Europiane të Boksit.

Bëhet fjalë për Arjon Kajoshin dhe Renato Gurrën, të cilët janë të shoqëruar nga trajnerët Zef Gjoni dhe Lazarin Vila. Pasditen e sotme do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale, ndërkohë që finalet do të jenë nesër në ora 12:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve të Prishtinës.

Por e veçanta e pjesmarrjes së sivjetme të boksierëve shkodranë është edhe prania pranë tyre e presidentit të Shoqatës së boksit Vllaznia Mondi Ndou. Ai ka udhëtuar enkas nga Gjermania në Shkodër fillimisht dhe më pas ka marrë rrugën drejt Kosovës, duke ia bërë surprizë boksierëve praninë dhe mbështetjen e tij në këto ndeshje.

Presidenti Ndou i ka dhënë një mbështetje të madhe boksierëve shkodranë këto dy vitet e fundit dhee jo vetëm për ato të boksit olimpik, por dhe profesionist duke ndihmuar në promovimin dhe rritjen e rezultateve të tyre. Prania e tij sot në Prishtinë sigurisht që është një tjetër tregues i pasionit të tij të madh për ta mbështetur këtë sport, që edhe ai vetë e pat ushtruar në rininë e tij.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”