Ky sezon i UEFA Champions League do të mbahet mend gjatë nga tifozët e Liverpool, por jo vetëm. Për herë të parë që nga viti 2013, as Lionel Messi dhe as Cristiano Ronaldo nuk do të jenë në finalen e Ligës së Kampionëve.

Barcelona e yllit argjentinas kapitulloi përballë supermacisë së Liverpool-it të martën, duke humbur gjysmëfinalen e kthimit me rezultatin e thellë 4-0 në “Anfield”, dhe për t’u eliminuar me rezultatin total 4-3. Ky rezultat i dha fund dominimit të këtij dueti yjesh, kur bëhet fjalë për garën më madhështore të klubeve në Europë.

Që nga viti 2013, njëri mes Ronaldos dhe Messit ka qenë pjesë e pesë finaleve të njëpasnjëshme të Champions-it, me të parin që fitoi tre tituj radhazi dhe katër në total. Këtë sezon, Ronaldo, i cili u largua nga Real Madridi verën e vitit të kaluar, e pa Juventusin e tij të eliminohej në çerekfinale nga supriza e këtij sezoni, Ajax.

Edhe Messi nuk ishte në gjendje ta ruante ritmin deri në finale. Argjentinasi nuk arriti të bëj dot të vetin trofeun më të rëndësishëm, që mungon te Barcelona prej vitit 2015.

Ashtu si portugezi, Messi është “mbërthyer” te katër trofetë kontinentale, duke e fituar së fundi Champions-in në vitin 2015. Ronaldo dhe argjentinasi e kanë fituar nga pesë herë “Topin e Artë”, për një periudhë 10-vjeçare, që njohu fundin vitin e kaluar nga Luka Modric.

Finalja e fundit pas Messin dhe Ronaldon është luajtur mes dy skuadrash gjermane, kur Bayern Munich mposhti Borussia Dortmundin e drejtuar nga trajneri aktual i Liverpool, Jurgen Klopp, në një përplasje të luajtur në “Wembley”./newsport/