Skënderbeu ka lënë Korçën për t’u transferuar drejt Durrësit, atje ku kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Vllaznisë, që do të luhet të shtunën në orën 13:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Pas grumbullimit në Durrës, i gjithë ekipi është takuar me presidentin Ardjan Takaj, i cili është munduar të mbajë lart moralin e grupit dhe t’u japë kurajë për ndeshjen me shkodranët.
Takaj i ka kërkuar skuadrës që të harrojnë atë humbje ndaj Teutës në shtëpi, e cila për sa i përket lojës së zhvilluar nga ekipi, në kampin korçar janë të bindur se ka qenë i pamerituar lënia e pikëve. Presidenti nga ana e tij ka kërkuar përqendrim dhe qetësi maksimale deri në ndeshjen e fundit nga ekipi i tij, duke u dhënë lojtarëve besimin e plotë.
MBLEDHJA – “Panorama Sport” zbardh pasazhe të fjalimit të Takajt para ekipit. “Jeni në një moment të mirë të kampionatit dhe normalisht që kjo është diçka që reflektohet edhe nga loja që po bëni. Mund të them se humbja e fundit ka qenë tejet rastësore, e vendosur vetëm nga një episod.
Prandaj, nuk duhet të ulni kokën, por të vijoni me të njëjtin përqendrim si në ndeshjet e fundit. Përpara kemi edhe 9 finale, përfshi edhe atë të Kupës së Shqipërisë. Këto nëntë takime kërkojnë të njëjtin përqendrim për të arritur në objektivin final, si për ju individualisht, ashtu edhe për klubin.
Unë kam besim te trajneri dhe ju se do të dini të lini pas presionin dhe të bëni ndeshje të mira javë pas jave, të cilat janë tejet përcaktuese për ne. Përpara është një përballje delikate si ajo ndaj Vllaznisë, por aspak e pamundur për ju nëse tregoni shpirt gare dhe sakrifice.
Keni mundur t’ia dilni mbanë në fusha të tjera të vështira. Keni fituar ndaj Kukësit, Partizanit dhe Teutës në transfertë, pse të mos e përsërisni këtë sukses edhe në Shkodër…! Asgjë nuk është e pamundur, nëse jeni të përqendruar nga fillimi deri në fund, jam i bindur se do të merrni rezultat pozitiv në Shkodër”, mësohet të ketë thënë Takaj para ekipit.