Sulmuesi i Kukësit, Sindrit Guri, është një ndër emrat më të përfolur në kampionatin shqiptar.
Shkodrani ka shpërthyer sivjet duke shënuar 15 gola dhe duke qenë golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar.
Ai është kthyer në liderin e Kukësit dhe pas largimit të Elis Bakajt dhe Pero Pejic-it cilësitë e shkodranit u vunë dhe më shumë në pah.
24-vjeçari kryeson dhe listën e golashënuesve të Superiore dhe ofertat kundrejt tij dhe Kukësit kanë vërshuar.
Presidenti Safet Gjici ka deklaruar se nuk ka pranuar një shifër prej 700 mijë eurosh, por vështirë të besohet. Numri një i klubit kërkon 1 milion euro për kartonin e Gurit.
Klubi verilindor me Drejtorin Sportiv, Nderim Nexhipi, po punon për shitjen e futbollistit. Zyrtari i verilindorëve ka deklaruar se është në kontakt me disa klube evropiane për rastin e Gurit.
Megjithatë, Eduasportin.com zbulon dhe një prapaskenë tjetër. Burime të besueshme pranë portalit bëjnë me dije se sulmuesi i Kukësit ka patur një takim “blic” me menaxherin Shkumbin Qormemeti.
Palët janë parë nën shoqërinë e njëri-tjetrit në një nga lokalet kryesor të qyteti verior. Ata janë takuar rreth këtyre ditëve.
Menaxheri i njohur shqiptar po punon për sulmuesin dhe klubin e Kukësit në këtë rast.
Shkodrani po sheh mundësitë më të mira për vete dhe largimi i tij në verë nga skuadra e Kukësit duket i sigurt.
24-vjeçari kërkon që të lëvizë drejt një ekipi evropian dhe jo në kontinentin aziatik. Sulmuesi kërkon që me lëvizjen drejt një ekipi të ri të kapë dhe Kombëtaren e Shqipërisë.
Ai shpreson që të grumbullohet dhe në miqësoret e qershorit, pasi do të ishte një hap i rëndësishëm dhe për karrierën e tij dhe vlerësimi në tregun Evropian do të ishte më i madh për të.
Klubet e huaja nuk kanë aspak vlere sim për Superioren shqiptare, pasi niveli është i dobët, por kur lojtari luan në Kombëtare rriten dhe mundësitë e tij. /EDS/