Vllaznia është munduar që të bëjë një merkato të kujdesshme deri më tani, duke u përpjekur të rikuperojë sa të mundet nga largimet e shumta gjatë kësaj merkatoje vere. Shkodranët duket se deri diku i kanë mbuluar të gjitha boshllëqet në skuadër. Megjithatë, deri në mbyllje të merkatos së verës, do të qëndrojnë në pritje për të kryer ndonjë tjetër përforcim.

Deri më tani, shkodranët kanë bërë përforcime në të gjitha repartet e fushës, ku vetëm tre prej tyre vijnë nga kampionati shqiptar, më konkretisht Dajan Shehi nga rradhët e Skënderbeut, Kaina Nunesh nga Kastrioti dhe Herald Marku nga rradhët e Partizanit.

Për të tre këta, trajneri Mirel Josa ka informacionin e mjaftueshëm dhe i njeh mirë, pasi kanë luajtur në kampionatin shqiptar. Për këtë arsye, pritet të mos e ketë të vështirë t’u gjejë pozicionin e duhur në fushën e lojës dhe t’i përshtasë menjëherë me pjesën tjetër të skuadrës.

Sa u përket afrimeve të tjera, si Boshnjaku, Vulaj dhe Juriç, mund të konsiderohen si një bast i klubit dhe vetë trajnerit Josa, pasi mbetet për t’u parë përshtatja e tyre në skuadër dhe se çfarë do të japin në fushë. Të tre kanë të dhëna të mira për pozicionet ku luajnë, teksa edhe kjo periudhë përgatitore ka shërbyer për Josën dhe skuadrën që t’u gjejë pikat më të forta dhe t’u marrë maksimumin.

Pothuajse, të gjithë futbollistët e afruar janë marrë për të luajtur një rol të rëndësishëm në ekip dhe për të qenë titullarë. Në një farë mënyre, afrimet në merkato janë edhe një bast për Vllazninë dhe trajnerin Josa, edhe për faktin se të gjithë kanë kontrata dy-vjeçare dhe shihen si pjesë e një plani përtej një sezoni. Megjithatë, te Vllaznia janë me shpresën se do të marrin maksimumin nga ta.

Ndërkohë, ditën e sotme, klubi ka programuar të zhvillojë edhe një takim miqësor, të katërtin në Austri, për të parë skuadrën në fushë për herë të fundit gjatë kësaj faze përgatitore dhe para ndeshjes ndaj Universitatea Kraiova, që do të luhet me 13-korrik, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Po ashtu, nga miqësorja që do të zhvillohet ditën e sotme në Austri, pritet të shihet me interes edhe ndonjë futbollist i ri, teksa mund të ketë hapësira më të shumta për ta në këtë ndeshje.
Maringlen ZHIVANI