Një nga emrat më të shquar të boksit shkodran pas viteve ’90 padyshim që është Artur Gavoçi. Madje, ai është rekordmeni i titujve kampionë të fituar në historinë e boksit shqiptar. Ai është plot 15 herë kampion i vendit.Më shumë se askush tjetër në historinë e këtij sporti në vendin tonë. Dhe për këtë arsye, boksieri shtatëshkurtër mbetet i veçantë.

U ndalëm sot tek ky boksier sepse ka ditëlindjen, feston 48 vjetorin e lindjes. Me këtë rast, ne emer te gazetes “Shkodra Sport” dhe gjithe lexuesve te saj, i urojme edhe 100 vite të tjera të lumtura ketij kampioni!

Artur Gavoçi ka lindur në Shkodër më 12 korrik 1974 dhe menjëherë pas rifillimit të boksit në vendin tonë, do të angazhohej me të, sepse e pëlqente shumë. E nis thjesht si pasion rinie fillimisht, pa e kuptuar se do të bëhej një kampion dhe rekordmen i padiskutueshëm në këtë sport.

Në kampionatin e vitit 1992 shpallet për herë të parë kampion i vendit kur konkurron në peshën 48 kg. Ka një “pauzë” një vit më vonë, për t’u rikthyer tek titulli kampion në vitin 1994, këtë herë në peshën 51 kg e sukseset në këtë peshë do të vazhdonin edhe në vitet 1995, 1996, 1997, 1998, 1999, 2000, 2001, 2002, 2003, 2004 e 2005.

Ndërkohë në kampionatin e vitit 2006 do të shpallej kampion i vendit në peshën 54 kg, ndërkohë që titulli i fundit i fituar prej tij ka qenë ai i vitit 2008, sërish në peshën 51 kg. Ky është fundi i karrierës së tij. E mbyll në moshën 34 vjeçare dhe ashtu si e nisi, si kampion.
Gjergj KOLA