Kevin Zefi është një emër shumë i njohur në Irlandë, pasi aktivizohet më gjigandët e futbollit irlandez, Shamrok Rovers. Madje, është golashënuesi më i ri në historinë e tyre duke qenë se ia ka dalë të gjejë rrugën e rrjetës në moshën 15-vjeçare.
Talenti i tij ka tërhequr shumë vëmendje nga klubet më të rëndësishme europiane, e mes tyre ishte edhe Inter apo Juventus.
Por, duket se së fundmi janë zikaltërit ata që e kanë fituar garën, edhe pse menaxheri i futbollistit me origjinë shqiptare thekson se për momentin nuk ka asgjë zyrtare. Zefi është me origjinë nga Shkodra, por që aktivizohet për Irlandën U15.
Megjithatë, ka shpresa që djaloshi të veshë fanellën kuqezi në të ardhmen. Për të ka shumë pritshmëri teksa kapiteni i Shamrok Rovers, Ronan Fin flet me superlativa.
“Që nga dita e parë mund ta dalloja talentin e tij, ka kapacitet teknik të jashtëzakonshëm. Por, futbolli nuk është vetëm ky. Duhet të ketë uri, të punojë dhe të ketë sjelljen e duhur. Ka shumë për të bërë, por Kevin ka shumë potencial.
Inter është një klub i jashtëzakonshëm dhe Kevin ka shumë talent. I uroj fat sepse është një djalosh i mirë dhe futbollist i shkëlyqer”, ishin fjalët e kapitenit të Shamrok për djaloshin e datëlindjes 2005 me origjinë nga Shkodra. /VipSport/