Aleksandër Ceferin ka folur sërish për situatën në të cilën gjendet futbolli në gjithë botën. Presidenti i UEFA ka vënë theksin në shëndetin e lojtarëve, trajnerëve dhe tifozëve duke deklaruar se s’mund të rrezikohet pa dhënë miratimin organet kompetentë të shëndetësisë.

E sigurtë është që për një periudhë kohë të gjatë, ndeshjet do të zhvillohen pa tifozë. Në një intervistë të dhënë për “Corriere della Sera”, numri Një i UEFA-s është shprehur:

“Prioritet është shëndeti i tifozëve, lojtarëve dhe trajnerëve. Unë jam një natyrë optimiste, besoj se ka mundësi që mund të na lejojnë të fillojmë kampionatet e kupat dhe t’i plotësojmë ato.

Mund të na duhet të lujmë pa spektatorë, por gjëja më e rëndësishme mendoj se është të luhet futboll. Në periudha të tilla të vështira, futbolli do t’u sillte njerëzve lumturi dhe një sens të caktuar normaliteti edhe nëse ndeshjet do të shihen vetëm në TV.

Kupat e Europës? Nuk ka asnjë afat për në finalen e të dyja kompeticioneve europiane të klubeve. E gjitha do të varet nga momenti kur të fillojmë e të luajmë përsëri.

Tifozët? Është më mirë të luajmë pa spektatorë sesa të mos luajmë fare. Futbolli do të sillte emocione dhe gëzimin që u duhen dëshpërimisht tifozëve në shtëpi.

Përfundimi i sezonit? Jo, nuk ka ndonjë afat specifik. Ne po eksplorojmë një sërë opsionesh, për të parë se kur garat mund të përfundojnë, gjithmonë bazuar në datat për të filluar përsëri”, ka deklaruar ai./newsport/