Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Rijad Kobiljar është një nga afrimet e reja të Vllaznisë për sezonin e ardhshëm, por mesfushori boshnjak mund të mos jetë menjëherë i gatshëm për trajnerin Edi Martini. Ish-futbollisti i Tiranës mbart një dënim prej 6 ndeshjesh pezullim nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së, pas sjelljes së tij në përfundim të derbit ndaj Partizanit, ku u konsiderua se përdori gjuhë fyese dhe cenoi reputacionin e aktivitetit futbollistik.
30-vjeçari ka shlyer vetëm tre takime nga ky dënim dhe aktualisht i mbeten edhe tre të tjera për t’u vuajtur. Megjithatë, te Vllaznia ekziston shpresa që ai të jetë i disponueshëm që në javën e parë të Abissnet Superiores, pasi rregulloret i japin mundësi klubit të kërkojë lehtësim të masës së dënimit. Kobiljar mund të përfitojë falje të pjesës së mbetur të pezullimit ose ulje të dënimit përmes pagesës së gjysmës së masës, nëse kërkesa miratohet nga organet përkatëse.
Mesfushori ka firmosur një kontratë njëvjeçare me kuqeblutë dhe shihet si një element i rëndësishëm për repartin e mesfushës së Edi Martinit. Vllaznia tashmë pret zhvillimet e radhës, pasi aktivizimi i Kobiljarit që në start do t’i jepte trajnerit më shumë alternativa në ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri.


