Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Lajmi që ka qarkulluar mbrëmjen e sotme në disa portale sportive, sipas të cilave Xhynejt Çutra është emëruar trajneri i ri i Tërbunit, nuk qëndron. Kjo është konfirmuar për “Shkodra Sport” nga administratori i klubit pukjan, Alfred Pjetri, i cili ka përgënjeshtruar kategorikisht këtë informacion.
Në një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport”, Pjetri deklaroi se Tërbuni nuk ka emëruar Xhynejt Çutrën në krye të pankinës dhe se lajmi i publikuar në disa media është i pavërtetë. Ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi emrin e trajnerit të ardhshëm, por theksoi se klubi do të komunikojë zyrtarisht çdo vendim në momentin e duhur.
“Dua të sqaroj se lajmi i publikuar për emërimin e Xhynejt Çutrës si trajner i ri i Tërbunit nuk është i vërtetë. Klubi nuk ka marrë një vendim të tillë dhe nuk ka asnjë marrëveshje me këtë trajner. Tërbuni është duke punuar për organizimin e sezonit të ri dhe çdo vendim që lidhet me stafin teknik apo afrimet do të bëhet publik vetëm nga klubi. Kërkojmë që të shmangen informacionet e pakonfirmuara, pasi mund të krijojnë konfuzion te tifozët dhe opinioni sportiv”, tha për “Shkodra Sport” në një komunikim telefonik, administratori i Tërbunit, Alfred Pjetri.
Në orët e fundit, disa portale raportuan se ish-trajneri i Turbinës, Xhynejt Çutra do të merrte drejtimin e Tërbunit, por sipas drejtuesve të klubit pukjan, ky informacion nuk është i saktë. Ndërkohë, Tërbuni vijon punën për ndërtimin e skuadrës në prag të sezonit të ri, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do të jetë emri që do të marrë drejtimin e ekipit. Zyrtarizimi pritet të bëhet nga vetë klubi në ditët në vijim.


