Klubi portugez, Boavista, është shkrirë pas 123 vitesh histori, për shkak të një kolapsi financiar.
Vendimi ka ardhur pas një urdhri gjyqësor, i cili e detyron skuadrën nga Porto të ndërpresë çdo veprimtari dhe të dorëzojë çelësat e stadiumit “Bessa” deri më 31 korrik.
Rënia e klubit, që u shpall kampion i Portugalisë në vitin 2001, nisi që nga përfshirja në skandalin “Apito Final” në vitin 2008 dhe dënimi me rënie nga kategoria.
Edhe pse u rikthye në elitë vite më vonë, problemet ekonomike u bënë të pamenaxhueshme pas rënies së fundit në sezonin 2024/25. Pasi iu refuzua licenca për kategoritë profesioniste, Boavista u detyrua të luante në ligat rajonale, nga ku u tërhoq pas vetëm tri ndeshjesh nën bllokadën e merkatos.
Si goditje përfundimtare për këtë institucion të futbollit, stadiumi i tyre historik ka dalë tashmë në ankand publik.


