Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Ekipi i Shkodra U-17 është shpallur kampion në Kategorinë e Parë, duke siguruar ngjitjen në Superligë pa pësuar asnjë humbje gjatë sezonit. Trajneri Arbër Shytani u shpreh krenar për paraqitjen e skuadrës, duke vlerësuar jo vetëm rezultatet sportive, por edhe sjelljen shembullore të ekipit në fushë.
“Jam shumë i kënaqur, pasi kemi zhvilluar një kampionat shumë të mirë të them të drejtën. Ky kampionat u ka shërbyer djemve për t’u rritur. Në fund të fundit, asnjë skuadër nuk mund t’i fitojë të gjitha ndeshjet e kampionatit, pa ia bërë hyzmetin ashtu siç duhet. Besoj se falë kësaj pune të mirë që të gjithë së bashku kemi zhvilluar, kemi kurorëzuar edhe me rezultate të mira.
Kemi realizuar një sezon shumë të mirë, këtu i referohem edhe rritjes që secili futbollist ka patur nga ndeshja në ndeshje dhe në harkun e një sezoni, besoj se kemi bërë një përmirësim të dukshëm. Faktor determinant për këto rezultate nuk janë vetëm cilësitë e futbollistëve, por edhe harmonia dhe serioziteti që ka ky grup. Për gjatë një sezoni, unë ndihem krenar jo vetëm për rezultatet, por edhe për disa statistika, të cilat nuk i kam hasur më përpara.
Kemi qenë shembull edhe si ekip “Fair-Play” dhe kjo më gëzon edhe më shumë. Nuk kemi marrë asnjë karton të kuq dhe nuk kemi patur asnjë mungesë për katër kartonë të verdhë. Kemi marrë përgëzime dhe komolimente nga arbitra dhe zyrtarë të FSHF për kulturën dhe disiplinën e treguar në fushë, sidomos në një kohë kur po shohim skena banale kudo”, u shpreh trajneri Arbër Shytani.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


