Kombësia argjentinase dhe mëngjarash! Vetëm duke lexuar kartën sportive të identitetit ka mjaftueshëm material që të gjithë tifozët bardhezi, të cilëve u pëlqen që të fantazojnë, mund të nisin ta bëjnë, ndonëse për të vënë në punë krahasime impenjative duhet pritur ende pak.
Gjithsesi, argjentinasi që po prezantojmë është Matias Soule, talent me shumicë, por që mbi të gjitha ka ende rrugë për të treguar të gjithë potencialin e një 16-vjeçari. Por, edhe ai që ka shfaqur deri tani ka mjaftuar që Juventusi të nxitohet, të mos rrezikojë e ta humbasë, pasi e ka ndjekur për një kohë të gjatë në radhët e të rinjve të Velezit.
Lajmi kishte disa kohë që qarkullonte, por edhe pse klubi i Juves po mbyll detajet e fundit, zyrtarizimin e ka bërë vetë Matias Soule, duke postuar në adresën e tij në “Instagram”, një foto nga “Allianz Stadium”, madje i veshur edhe me ngjyrat bardhezi. Kjo tratativë e mbyllur me sukses mban firmën e drejtorit sportiv, Fabio Paratiçi, dhe ndihmësit të tij të besuar, Federiko Kerubini, të cilët kanë mposhtur konkurrencën e madhe të klubeve si Junajtid, Atletiko e Sevija.
Por, ajo që e bën edhe më të rëndësishëm investimin për Matias Soulen lidhet mbi të gjitha me faktin se Juves nuk i është dashur t’i paguajë asnjë euro klubit të Velezit, duke qenë se lojtari ishte në skadencë kontrate në dhjetor të këtij viti dhe nuk pranoi rinovimin. Një goditje “alla Pogba” e radhës për bardhezinjtë, por me shpresën se ai që shihet në Argjentinë si një “Mesi i ri” mund të ketë të njëjtin shpërthim të shpejtë siç pati pikërisht Pogba me bluzën e Juves.