Opinion nga Ervin BAKU

U desh një fazë për të vështruar e njohur mirë skuadrat konkurrente. U desh një fazë për të parë se ç’bëhët me trajnerët, lëvizjet e largimet tyre. U desh një fazë për të pritur largimin e Iulianos, ish-teknikut të Partizanit i cili që dy-tre javët e para të kampionatit dha shenja se ai ishte një “hiç”.

U desh një fazë për të kuptuar (skeptikët), se Skënderbeu meriton vërtetë termin “Skënderbe europian”. U desh një fazë për të gjetur skuadrën surprizë, Kamzën. Ndreu dhe filozofia e tij me grupin e “gurtë” befasuan me performancën në fushë-betejë. U desh një fazë për të kuptuar se këtë kampionat s’ka kohë, pse jo dhe dëshirë për “dëfrim”. Parësore… pikët. U desh një fazë (për hir të titullit të Lup-Javës, sepse në fakt u vu re që javën e parë) për të konstatuar se gjyqtarët gabojnë pambarim. Kështu! Skënderbeu e “vjeli” të tërën këtë fazë. Potent edhe ndaj Vllazinsë këtë javë teksa nga udhëtues (në kalendar) luajti në Korçë me shkodranët. Vllazni dinjitoze në fushë, disa herë vendosi në vështirësi “ujqërit”. Kamza, veçmas për këtë javë meriton notën 10. Jo vetëm se bëri fitore duke mundur Partizanin, por u bë preteksti vendimtar për t’i dhënë “rrugët” stafit teknik aq të kontestuar të të kuqve. Te çifti Teuta-Laçi, rezultati flet vetë. Lojë e kujdeshme, balancë dhe frymëmarrje në fund të një sfide që teknikët respektivë u kujdesën për të mos e humbur. “Gashi”, shumë punë në të ardhmen. Luftëtari, hap përpara! Golin e ka gati ndaj një Lushnje që, edhe pse u mund u shfaq aktive. Në fund Flamurtari-Kukësi që për “dreq” u luajt pa tifozë. Protagonizëm i theksuar nga xhaketat e zeza? Jo. Goli i vlonjatëve në fund, më se i rregullt? Jo. Pamjet e tregojnë qartë, askush nuk prek sferën që prek rrjetën. Por, rregullorja e thotë po aq qartë. Lojtari në pozicion jashtë loje konsiderohet kur: Ndikon te portieri, ose kur topi kalon shumë afër lojtarit që është në pozicion jashtë loje edhe pse nuk preket. Anësori me flamurin lart? Vendim shumë i drejtë. Ishte thjesht një fazë…! Nëntë javë!