Elseid Hysaj zgjodhi të prezantohej te Lacio me një këngë të shndërruar në hit, sidomos vitet e fundit. Kolona zanore e një prej serialeve më të ndjekura, “Shtëpia e Parave” (“La casa de papel”).

Por, fryma e përcjellë në atë këngë, kënduar nga shqiptari mes shokëve të rinj të Lacios, ka prekur shumë prej tifozëve bardhekaltër që nuk i kanë kursyer kritikat.

“Siç ndodh shpesh, lojtarët e rinj prezantohen në grup duke kënduar një këngë para të gjithëve. Kjo është ajo që i ndodhi Elseid Hysajt, një 27-vjeçar shqiptar.

Siç mund të shihet nga një video e postuar në ‘Instagram’ nga Luis Alberto, Hysaj për t’u prezantuar me shokët e rinj, vendosi të këndonte ‘Bella Ciao’, kënga popullore e lidhur në mënyrë ideale me të gjithë lëvizjen partizane. Dhe disa tifozë të Lacios nuk e morën mirë”, shkroi “Gazzetta dello Sport”.

RRJETET SOCIALE – Kjo e fundit, krahas kritikave për shqiptarin, përdori edhe disa komente që e vlerësojnë këtë episod, si mburojën që Lacio nuk është më një mbrojtëse e flaktë e të djathtës ekstreme, fashizmit.

“Në mediat sociale, disa tifozë të Lacios, dukshëm me ide të ndryshme politike sesa ato të shprehura në këngë, fyen ose tallën lojtarin shqiptar ‘nëse do të këndonit himnin e Romës, do të ishte më mirë’, (‘është më mirë të luajmë me 10’), ishin disa prej komenteve ndaj mbrojtësit kuqezi.

Në realitet, megjithatë, ka edhe shumë tifozë që ndanë videon sepse janë të lumtur që imazhi i Lacios, shpesh i lidhur me ekstremin e djathtë fashist, po rivlerësohet në Itali dhe në Europë. Lazio dhe fashizmi nuk janë sinonim”.

MBYLLET ÇËSHTJA- Ndërkohë së fundmi raportohet se pas ndërmjetësimeve të nevojshme, edhe të drejtorit sportiv të Lazios, Igli Tare, çështja u mbyll.

Videoja e Hysajt duke kënduar Bella Ciao u zhdukën nga rrjetet sociale nga vetë lojtari sikur të kishte bërë një krim.