Lajmet e merkatos tashmë janë çdo ditë e më të zjarrta. Prej ditës së djeshme diskutohet për një tjetër afrim tek Vllaznia. Bëhet fjalë për Kristijan Vulaj.

Mesfushori me tipare sulmuese që mbylli sezonin me Deçiçin, duket se tashmë do jetë pjesë e kuqebluve. Për 23-vjeçarin që kaloi një sezon shumë pozitiv, kishte disa oferta.

Por duket se ajo që e ka bindur më tepër është ajo e Vllaznisë. Por edhe vetë vlera në merkato e Vulajt, tregon për një futbollist kualitativ që afrohet në rradhët e kuqebluve. Sipas faqes së specializuar të Transfermarkt, Vulaj kap shifrën e 350 mijë eurove në merkato. Shifër goxha e lartë dhe duke parë edhe moshën e tij të re, mund të rritet në të ardhmen.

Pra një goditje që mund të shërbejë edhe si investim për Vllazninë. Nëse Vulaj do zyrtarizohet tek shkodranët, atëherë ai do ishte lojtari më i shtrenjtë i skuadrës për momentin së bashku me Latifin. Ku edhe prishtinasi vlerësohet në tregun e futbollistëve me shifrën e 350 mijë eurove. Pas tij tek kuqeblutë vijnë Hakaj, Jonuzi dhe Aralica.

Të gjithë të sipërpërmendurit në shifrën e 225 mijë eurove të vlerës së tyre të kartonit. Tashmë duhet të presim zyrtarizimin dhe mbylljen e marrëveshjes së Vllaznisë me futbollistin e kombëtares së Malit të Zi. Futbollist që do përforconte shumë ekipin e Joses para kupave të Europës apo edhe sezonit të ri.

Endri ÇINARI