Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti ka treguar për “Fair Play” se disa nga afrimet e fundit të Partizanit janë jashtë forme. Cvetanovski, Telushi apo edhe Romero nuk janë gati, me stafin që po punon për riaftësimin e tyre.

“Demat” janë në grumbullim në Slloveni, aty ku fituan në miqësoren e parë 1-2 me NS Mura. Kujtojmë se përgatitjet po vijojnë për Conference League, me Partizanin që përballet me Saburtalo Tbilisi në turin e parë kualifikues.

“Jemi duke punuar në merkato, nuk duhet të nxitohemi. Lojtarët e afruar së fundmi nuk janë të gjithë në formë. Telushi dihet problemi që ka në krocial, në gju. Romero ka pasur probleme fizike, kemi përgatitur një program të veçantë që ia kemi dhënë.

Hoti është në formë, e tregoi edhe me gol në ndeshjen që bëmë. Cvetanovski ka qenë ndër lojtarët më të mirë në Maqedoninë e Veriut, pres shumë nga ai. Ka një problem fizik që presim ta kalojë shpejt.

Me lojtarët afrikanë kemi pasur probleme me vizat, duhet t’i kishim në përgatitje. Ndeshja në Conference League nuk është e lehtë dhe na duhej grupi i plotë dhe pa probleme. Po punojmë që të kemi dublime në çdo pozicion”, tha mes të tjerash Mehmeti.