Igli Tare bën çdo vit mrekulli që me një buxhet të limituar të ndërtojë një skuadër që mund të rivalizojë me superfuqi në futbollin italian e arenën ndërkombëtare. Por duket se tifozët e Lacios nuk ia shpërblejnë këtë mund si duhet, sidomos kur ekipi zbret në fushë në Europë, me stadiumin “Olimpiko” i cili në disa raste ka parë edhe tifozeritë kundërshtare të jenë më të shumta në numër.

Ndaj nuk është aspak çudi që para ndeshjes së sotme ndaj Seviljes, një emër i njohur në arenën ndërkombëtare, Igli Tare të shprehte pakënaqësinë e tij për faktin se stadiumi ishte i boshatisur dhe tifozët nuk mbështetnin ekipin.

“Mendoj që mundësitë për të kaluar turin janë 50% me 50%. Luajmë në shtëpi, kemi qenë protagonistë edhe vitin e kaluar dhe duam të jemi edhe në këtë sezon. Por mendoj se kam parë një gjë shumë të shëmtuar ndaj Ejntrahtit, meqë tifozët tanë ishin në minorancë në “Olimpiko”.

Sot kam përjetuar një eksperiencë edhe më të shëmtuar, Roma është një qytet kërkues, prania e tifozëve është thelbësore për këtë ekip që meriton më shumë. Falënderoj të gjithë ata që janë në stadium. Por prisja lojtarin e 12 e nuk më duket se do të jetë”, tha ai i mërzitur duke parë shkallaret thuajse të boshatisura./vipsport/