Arsid Kruja jo vetëm që nuk e diskuton rikthimin në elitë, por mendon se Vllaznia duhet të fillojë që të projektojë që tani grupin për sezonin tjetër. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, i sapokthyeri në shtëpi evidenton se skuadra është në rrugën e duhur, përtej ndonjë luhatjeje që mund të ketë shfaqur së fundi.

“Nuk e kam vënë dhe nuk do ta vendos kurrë në dyshim faktin që Vllaznia do të jetë në Superiore në fundin të këtij sezoni. I jam bashkuar ekipit me këtë mendim dhe kam gjetur po aq besim edhe te pjesa tjetër e grupit. Mund të kesh luhatje, por e përgjithshmja deri më tani është pozitive. Vllaznia e ka treguar që e meriton rikthimin në elitë me ndeshjet e zhvilluara.

Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në vazhdimësi. Natyrshëm që duhet t’i marrin takimet me radhë, ndaj do përpiqemi që të arrijmë vetëm rezultate pozitive që të mos e vëmë në diskutim misionin. Them se është detyrim i yni që ta çojmë ekipin aty ku e ka vendin.

Ndaj, do japim maksimumin për të arritur këtë objektiv. Jemi dominues ndaj çdo kundërshtari dhe kështu duhet të vazhdojmë”, u shpreh Kruja për “Panorama Sport”.

Vora – Diferenca me ndjekësit i jep mesfushorit më shumë siguri për realizimin e misionit final. Fakti që janë +7 nga Erzeni u ka ofruar qetësinë e duhur shkodranëve për të menduar për Vorën. “Jemi në rrugë e duhur. Tashmë jemi sërish 7 pikë larg Erzenit dhe këtë diferencë ne do të synojmë që ta thellojmë edhe më shumë.

Duke filluar që nga takimi që kemi këtë fundjavë ndaj Vorës. Edhe pse kundërshtari do të kërkojë që të bëjë gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv ndaj nesh, kjo nuk do të na pengojë që të kërkojmë tri pikët. Duke shpresuar te ndonjë gabim tjetër i Erzenit, të krijojmë edhe më shumë shkëputje nga vendi i dytë”, theksoi Kruja.

Rikthimi – Pavarësisht se në Kategorinë e Parë, mesfushori nuk e mohon se është i kënaqur që i është dhënë mundësia të riveshë fanellën e Vllaznisë. Sipas tij, të luash me këto ngjyra është gjithnjë privilegj. “Të luash me Vllazninë është një prestigj, pavarësisht se jemi në Kategorinë e Parë.

Vllaznia mbetet një ekip i madh dhe ne do mundohemi që ta çojmë aty ku duhet. Mendoj se kam bërë më të mirën me të gjitha skuadrat që jam aktivizuar këtë dua të bëj edhe me kuqeblutë. E dua këtë fanellë, pavarësisht kategorisë ku gjendet. Shpresoj që të kthehem te forma më e mirë e imja dhe të justifikoj gjithë besimin e stafit teknik dhe drejtuesve të klubit”, përfundoi Kruja